Ish-kryeministri sirian ia dorëzon pushtetin opozitës

Ish-kryeministri i Sirisë, Ghazi AL Jalali, ka njoftuar se ka pranuar ta dorëzojë pushtetin tek opozitarët.

Sipas tij, qeveria nga tani do të udhëhiqet nga Qeveria e Shpëtimit Sirian, e cila gjatë viteve të kaluara i ka administruar Idlibin i cili gjendej nën kontrollin e kryengritësve.

Al Jalali e dha këtë njoftim pas një takimi me kreun e Qeverisë së Shpëtimit Sirian, Mohamed Al Bashir dhe udhëheqësit e forcave opozitare Ahmed Al Shara, i cili deri më tani njihej si Al Julani . Al-Shara, pas këtij takimi tha se opozitarët nuk planifikojnë që tërësisht t’i largojnë ish-zyrtarët e regjimit duke shtuar se është me rëndësi që opozitarët të përfitojnë nga përvoja e tyre.

Kryengritësit gjithashtu shpallën amnisti të përgjithshme për të gjithë anëtarët e mobilizuar të ushtrisë siriane dhe porositën se jetët e tyre janë të sigurta.

Ndërkohë mijëra sirianë janë mbledhur rreth burgjeve për të kërkuar familjarët e tyre, shumë prej të cilëve kanë kaluar dekada prapa mureve, shpesh pa asnjë kontakt me botën e jashtme. Shumë sirianë, përfshirë edhe përfaqësuesit e grupeve humanitare, janë të shokuar me tregimet e të mbijetuarve të cilët po lirohen.

Tel Avivi, nga ana e tij, ka bërë të ditur se forcat izraelite kanë vazhduar ta përforcojnë “zonën e sigurt” në pjesën siriane të rrafshnaltës së Golanit përderisa aeroplanët izraelitë kanë vazhduar me bombardime. Sipas Izraelit, janë goditur rezervat a mbetura të armatimit Kimik të regjimit të Assadit.

Gjithashtu ka raporte se aviacioni amerikan ka goditur dhjetëra caqe të ISIS-it brenda Sirisë duke thënë se këto sulme u kryen për të parandaluar këtë grup të përdorë kaosin momental në vend.

Go to TOP