Deficiti tregtar i BE-së arrin në 43.6 miliardë euro

Bilanci tregtar i mallrave të Bashkimit Evropian regjistroi deficit prej 43.6 miliardë euro në prill, krahasuar me një suficit prej 12.6 miliardë euro në prill 2021.

Sipas Zyrës Evropiane të Statistikave, importet arritën në 242.1 miliardë euro me një rritje 45.4 për qind.

“Eksportet jashtë BE-së të mallrave në prill 2022 ishin 198.5 miliardë euro, me 10.8 për qind më shumë krahasuar me prillin 2021 prej 179.1 miliardë euro”, thuhet në raportin e Eurostatit.

Shumica e vendeve anëtare kanë shënuar rritje në eksportet jashtë BE-së, përveç Estonisë me -11.3 për qind, Sllovakisë me -6.9 për qind, Çekisë me -6 për qind, Lituanisë me -2.5 për qind, ndërsa Kroacia ishte pothuajse e qëndrueshme në -0.2 për qind.

Rritjet më të larta, nga ana tjetër, janë regjistruar në Irlandë me 48.6 për qind dhe Slloveni me 38.8 për qind.

Për sa i përket importeve jashtë BE-së, të gjitha vendet anëtare shënuan rritje krahasuar me prillin e vitit 2021, më e larta ishte në Lituani me 140.4 për qind, Kroaci me 82.5 për qind dhe Finlandë me 72 për qind.

“Në katër muajt e parë të vitit 2022, rritjet më të larta janë vërejtur te importet dhe me një vlerë më të ulët, eksportet e energjisë, duke çuar në një rritje të ndjeshme të deficitit tregtar të BE-së në energji me -183.6 miliardë euro në janar-prill 2022 krahasuar me -66.8 miliardë euro në periudhën janar-prill 2021”, përfundon raporti. 

Go to TOP