Çeku takon bursistët e rinj: Po studiojnë profile deficitare
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se 53 të rinj kanë përfituar bursa nga mbështetja financiare studimore jashtë vendit, nga thirrja e fundit e Ministrisë së Kulturës.
Qëllimi sipas tij është që të krijohen profesionistë të rinj në profile deficitare në fushën e artit, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
Disa prej studentëve ministri Çeku i takoi të martën.
“Ndër të tjera ata po studiojnë regji teatri, gazetari sportive, konservim, skenografi të teatrit e operës, histori të artit e arkeologji. Ishte kënaqësi të dëgjoja për rrugëtimin e tyre dhe vullnetin që kanë për të kontribuuar në Kosovë”, ka shkruar ai.
Me bursat e ndara nga Ministria e Kulturës, ata janë duke ndjekur studimet në nivelet bachelor, master, doktoratë dhe post-doktoratë në disa prej universiteteve më prestigjioze në Gjermani, Itali, Shtetet e Bashkuara, Turqi, Francë, Slloveni, Spanjë, Holandë, Belgjikë, Skoci, Angli, Zvicër dhe Estoni. /Kosova.info/