Cakolli: Fuqia reale e partive matet nga numri i banorëve që ato qeverisin, jo nga numri i komunave

Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka theksuar se matja e ndikimit real të partive politike pas zgjedhjeve lokale nuk duhet të kufizohet vetëm në numrin e komunave të fituara, por në numrin e banorëve që jetojnë në komunat që ato do t’i udhëheqin.

Sipas Cakollit, një analizë e tillë ofron një pasqyrë më të qartë për peshën politike dhe demografike të secilës parti në jetën e qytetarëve.

“Përtej numrit të komunave të fituara, një mënyrë më domethënëse për të kuptuar fuqinë reale të partive kryesore politike – sipas rezultateve të zgjedhjeve për kryetarë komunash – është të analizohet numri i banorëve që jetojnë në komunat që ato do të udhëheqin. Kjo pasqyron më mirë ndikimin real të secilës parti në jetën e qytetarëve dhe peshën e saj demografike, përtej thjesht fitoreve numerike,” ka deklaruar ai.

Duke u bazuar në të dhënat aktuale të popullsisë (votuesve) për komunat e fituara, Cakolli ka prezantuar përllogaritjet e ndarjes së ndikimit politik:

LDK do të udhëheqë me 7 komuna, me rreth 550 mijë banorë;

PDK do të udhëheqë me 6 komuna, me rreth 490 mijë banorë;

LVV do të udhëheqë me 7 komuna, me rreth 420 mijë banorë dhe

AAK do të udhëheqë me 5 komuna, me rreth 340 mijë banorë.

Sipas analistit të KDI-së, kjo mënyrë e vlerësimit ndihmon në kuptimin e balancave reale të pushtetit lokal dhe ndikimit që partitë do të kenë në qeverisjen e qytetarëve në katër vitet e ardhshme. /Kosova.info/


Go to TOP