Çeku pas balotazhit: Uroj Përparim Ramën për fitoren, do të vazhdojmë të punojmë për Prishtinën nga opozita

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe shpalljes së rezultateve të balotazhit duke uruar Përparim Ramën për fitoren dhe duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe përvojën e fushatës.

Në një postim publik, Çeku ka vlerësuar takimet me qytetarët si “përvojë të jashtëzakonshme” dhe ka shprehur mirënjohje për çdo votë të dhënë dhe çdo përpjekje për “ndryshimin e besuar bashkë”.

“Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë. Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës,” ka shkruar ai.

Çeku theksoi se kjo garë ka dëshmuar se “shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë” dhe shtoi se do të vazhdojë të mbetet në shërbim të qytetit me të njëjtin përkushtim.

“E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur,” ka shtuar ai.

Në mesazhin e tij, kandidati i VV-së ka paralajmëruar se partia do të vazhdojë punën në opozitë në Kuvendin Komunal të Prishtinës duke ndjekur me kujdes çdo hap të qeverisjes së ardhshme.

“Si Lëvizje Vetëvendosje!, do të sigurohemi që nga opozita t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund,” ka theksuar Çeku.

Në fund, ai ka falënderuar aktivistët, vullnetarët, kandidatët dhe gjithë ekipin e VV-së për punën e jashtëzakonshme gjatë fushatës duke theksuar se “rrugëtimi për një Prishtinë më të mirë vazhdon me të njëjtin besim dhe dashuri për qytetin tonë”. /Kosova.info/


Go to TOP