Kurti në Mitrovicë: Fituam bashkë me qytetarët
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pasi mori pjesë në festën e fitores në Fushë Kosovë e Obiliq shkoi edhe në Mitrovicë, ku së bashku me Faton Pecin dhe qytetarët festuan fitoren në këtë komunë.
“Përveç se i kemi mbajtur Podujevën, Gjilanin, Kamenicën dhe Shtimen, ku kemi qeverisur në katër vitet e kaluara, tani kemi fituar edhe Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Mitrovicën. Faleminderit gjithë qytetarëve. Kjo është fitorja juaj. Faleminderit aktivistëve që kanë punuar e nuk janë ndalur asnjëherë”, tha Kurti në festën e fitores në Mitrovicë.
Ai tutje ka thënë se fitoren në Mitrovicë e arritën përkundër se të gjithë të tjerët u bënë bashkë.
“Jo vetëm që kemi fituar bashkë me qytetarët, por ata kanë humbur duke u bërë krejt bashkë kundrejt neve”, shtoi ai.
Ndërkaq, kryetari i ri i Mitrovicës, Faton Peci i falënderoi qytetarët për mbështetjen. “Ju dua fort. Mitrovica është zemra e Kosovës, e në zemër të Mitrovicës sa herë është nevoja e kemi Albin Kurtin”, tha ai.
