Bournemouth shokon Arsenalin

Arsenal ka pësuar një humbje tronditëse 2-1 ndaj Bournemouth në shtëpi, duke marrë një goditje të rëndë në garën për titull në Premier League.

Skuadra e Mikel Arteta u kap në befasi nga mysafirët që kaluan në epërsi herët me Eli Junior Kroupi, pas një aksioni të shpejtë në zonë.

“Topçinjtë” reaguan dhe barazuan përmes penalltisë së saktë të Viktor Gyokeres, duke rikthyer shpresat para pushimit.

Por në pjesën e dytë, Bournemouth goditi sërish! Alex Scott realizoi golin vendimtar në minutën e 74-të, duke heshtur tifozët vendas dhe duke tronditur ambiciet e Arsenalit për titull.

Pavarësisht presionit në fund nga Declan Rice dhe Gabriel Jesus, londinezët nuk arritën të shmangnin humbjen.

Kjo disfatë i hap rrugë rivalëve direktë dhe vë në pikëpyetje serioze qëndrueshmërinë e Arsenalit në fazën vendimtare të sezonit.

Nga ana tjetër, skuadra e Andoni Iraola vazhdon të impresionojë, duke zgjatur serinë pozitive dhe duke u ngjitur në tabelë.

Pas kësaj humbje, Arsenali ka 70 pikë në krye të tabelës, nëntë më shumë së Man City, por këta të fundit kanë dy ndeshje me pak, kurse, Bournemouth zë vendin e nëntë me 45 sosh.


Go to TOP