Banorët e Fushë Kosovës po përballen me reduktime të ujit

Pas gjendjes së krijuar së fundmi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok dhe prurjes së paktë të ujit nga ky kanal, Kompania Rajonale e Ujësjellësit  “Prishtina” u detyrua që të aplikojë reduktime të ujit në komunat Drenas, Fushë Kosovë, Obiliq dhe në një pjesë të Prishtinës.

Gjendja në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok la pa ujë mijëra banorë të Fushë Kosovës, kryesisht gjatë kohës së reduktimeve.

E situatë me e rëndë po vazhdon të paraqitet sidomos për ata që jetojnë në kate të larta.

 “Pa ujë, reduktimet kanë filluar si ka eksploduar atje. Na jetojmë në katin 8-të, shtypja e ulët, më shumë pa ujë se me të. Po gjindemi si po mundemi”, tha Zana Jetullahu, banore.

 “Jemi shumë pa ujë, tash ka po është shumë pak. Nuk guxojmë me i lëshua as makina as send”, tha Hajrie Kongjeli, banore.

Megjithatë, qytetarët po e mirëkuptojnë situatën e krijuar pas asaj që ndodhi në veri.

“Ujë ka pasur por pas kësaj situate që ka ndodh atje duhet me e kuptua. Ujin po duhet gjithqysh me sigurua, për me pi po blejmë”, tha Faik Zogu, banor.

Në zonat e prekura KRU “Prishtina” ka vendosur edhe autobote për furnizim me ujë të pijshëm.

Nga kjo ndërmarrje thonë se uji është i pijshëm, gjendja është më stabile dhe se po bëjnë të pamundurën që qytetarët të kenë furnizim të rregullt me ujë, sidomos edhe për ata që jetojnë në kate të larta.

Go to TOP