Banka Botërore : 26 vendet më të varfra të botës po marrin gjithnjë e më pak mbështetje ndërkombëtare
26 vendet më të varfra të botës, shtëpia e 40% të njerëzve që jetojnë nën kufirin e varfërisë, po marrin nivelin më të ulët të ndihmës ndërkombëtare që nga fundi i shekullit, pasi situata e tyre socio-ekonomike përkeqësohet, ka paralajmëruar Banka Botërore.
Në një raport të botuar të dielën, Banka Botërore shprehu shqetësimin e saj se lufta kundër varfërisë ekstreme në këto vende, të cilat po përballen gjithashtu me nivelin më të lartë të borxhit që nga viti 2006, si dhe me paqëndrueshmërinë politike, pasigurinë, apo luftën, ndihmat po reduktohen çdo ditë e më shumë, në një kohë kur nevojat janë më të mëdha se kurrë.
Raporti arriti në përfundimin se ekonomitë e këtyre vendeve janë në gjendje më të keqe se sa ishin përpara shpërthimit të pandemisë Covid-19 në vitin 2020. PBB-ja e tyre për frymë ra deri në 14% midis 2020 dhe 2024, kur do t’u duhej të investonin ekuivalente me 8% të PBB-së së tyre në vit për të arritur objektivat e tyre të zhvillimit, nënvizoi Banka Botërore.
Për më tepër, 26 vendet e ekzaminuara përballen me një nivel mesatar borxhi që korrespondon me 72% të PBB-së së tyre, i rritur me 9 pikë përqindjeje në vitin 2023 dhe përdorin më shumë se 10% të të ardhurave të tyre për të paguar interesin e borxhit të tyre.
Shumica e vendeve të ekzaminuara janë në Afrikën Sub-Sahariane, nga Etiopia në Çad dhe DR Kongo, por Afganistani dhe Jemeni janë gjithashtu në listë.
Dy të tretat e 26 vendeve më të varfra përballen ose me konflikt të armatosur ose me vështirësi për të ruajtur rendin për shkak të paqëndrueshmërisë institucionale ose sociale, faktorë që pengojnë investimet e huaja dhe pothuajse të gjitha eksportet e produkteve.