Ballkani reagon për Federatën
Ballkani, kampioni në fuqi i Kosovës në futboll ka dalë në mbrojtje Federatës së Futbollit të Kosovës, pas debatit publik me pakënaqësi për menaxhimin e Kombëtares së Kosovës.
Së fundmi, pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve, veçmas pas humbjes nga Rumania, FFK-ja dhe menaxhimi i Kombëtares ka zgjuar diskutime në shoqëri. Ankesat kanë ardhur sidomos pas përjashtimit nga grumbullimi të tre futbollistëve, Edon Zhegrova, Arijenet Muric dhe Florent Muslija.
Kjo situatë ka bërë që klubi nga Suhareka të reagojë zyrtarisht të martën.
“FC Ballkani shpreh indinjatën e thellë të disa opinionistëve mediatikë, të cilët pa asnjë bazë e mbi të gjitha edhe pa profilizim profesional sportiv, mundohen ta përlyejnë punën e madhe që bëhet në klubet kosovare, ku investohen miliona euro.
Në disa emisione sportive po lejohet tentim degradimi i gjithë punës së madhe që ne kryejmë, sakrificës së jashtëzakonshme që bëjmë, vetëm e vetëm që ta shtyejmë përpara agjenden kombëtare të fuqizimit të progresit në futbollin tonë”, ka theksuar Ballkani.
“Federata e Futbollit të Kosovës është organizata më e lartë e këtij sporti në shtetin tonë, të gjitha garat ku bëjmë pjesë janë nën ombrellën e saj, andaj ne jemi të prirur ta respektojmë maksimalisht këtë organ dhe e mbështesim në çdo rrugëtim që ka të bëjë me interesin e futbollit nacional”.
Sipas Ballkanit, klubet kosovare investojnë para të bizneseve që e mbështesin sportin, në këtë rast futbollin.
“Po e përsërisim, janë miliona euro çdo vit që investon FC Ballkani dhe qëllimi ynë është mëse fisnik. Ne jemi klub financiarisht i pavarur dhe me krenari investojmë paratë tona për të ardhmën e klubit, njëkohësisht të futbollit kombëtar. Këtë e dëshmon më së miri fakti se duke u punuar maksimalisht, nxjerrim lojtarë që i shërbejnë Kombëtareve, ëndërr kjo e çdo sportisti”, ka theksuar ky klub.
“Referuar edhe një letre të hapur të një gazetari i cili nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe kurrëfar ndikimi në këtë lëmi, synon të na mbajë ligjeratë e të na mësojë se si të veprojmë”.
Ballkani ka apeluar se kushdo që nuk mund ta ndihmojë sportin, të paktën të mos e pengojë.
“Ne i njohim të gjithë njerëzit e fushës, ne punojmë gjithmonë vetëm me profesionistë, prandaj kemi arritur që ta rrisim nivelin nga viti në vit, jo duke dëgjuar ata që nuk janë kompetentë. Historia jonë e ka treguar se si me menaxhimin profesional, kemi shkuar dy herë radhazi në grupet e Konferencës Evropiane, derisa synojmë të ngritemi edhe më lartë. Kjo është dëshmia më e mirë e investimit korrekt dhe profesional”, ka shkruar klubi suharekas.
“Ju apelojmë të gjithëve, nëse nuk keni mundësi për ta ndihmuar sportin, atëherë të paktën mos e pengoni atë!”.
Gjithashtu gjatë ditës kanë reaguar edhe disa klube të tjera, në mesin e të cilave edhe Ferizaj e Suhareka, të cilat garojnë në Superligë. /Kosova.info/