​Bajrami i reagon Haxhiut dhe Muratit: Hipokrizia që bëjnë e lëvizin me xhipa të zi

Deputetja e Lidhje Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami iu është kundërpërgjigjur akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje pas dështimit për t’u zgjedhur nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Bajrami në një konferencë për media, i ka quajtur hipokrite deklaratat e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu dhe deputetit të LVV-së, Hekuran Murati të cilët fajësojnë partitë tjera për moszgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.

Ajo ka thënë se ata ndryshe flasin e ndryshe veprojnë, derisa ka thënë se në kohën kur Haxhiu ishte deputete nuk e lironte vendin si ministre me arsyetimin se nuk ka kujt t’ia lë ministrinë. Kurse në momentin që është bërë nënkryetare, ajo lirojë vendin e ministres.

Bajrami: Hipokrizi me apostrofua parti tjera kinse janë me Listën Serbe

“Është hipokrizi me dal para mediave dy eksponent të Lëvizjes Vetëvendosje dhe me apostrofuaar parti tjera se kinse ne jemi me Listën Serbe, ndërkohë që janë përgjimet e Mimoza Kusarit duke qenë shefe e 58 deputetëve me Listën Serbe dhe Milan Radojqiçin. Ata që neve na quajnë bashkëpunëtorë të tyre ju keni dëshmi se kanë bashkëpunuar për vota për të zgjedhur persona në Gjykatë Kushtetuese dhe gjithashtu për ligjin për pagën e veteranëve të luftës me Milan Radoiqiq” ,tha deputetja Bajrami.

Deputetja e LDK-së tha se nëse Albin Kurti i ka votat për të formuar qeverinë e re, pse nuk po i jep këto vota për ta votuar Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit.

Bajrami: Kurti nëse e do kaq shumë Rashiqin pse nuk ia jep votat që i ka për formimin e Qeverisë

“Është hipokrizi me thënë i kemi numrat me bë qeverinë në ndërkohë që këta numra Albin Kurti nuk ia ka dhënë Albulena Haxhiut për t’u bërë kryetare plotë 48 herë. Pse kërkojnë vota nga opozita për ta bërë nënkryetar Nenad Rashiqin nëse Albin Kurti e do kaq shumë Nenadin dhe s’po ia ndalon askush ta do pse ai nuk po ia jep 61 vota që ai na i paska për qeveri”, tha ajo.

Bajrami tha se qeveria në detyrë e ka izoluar vendin dhe po përdorin xhipat e zi e dhjetëra këshilltarë e asistentë.

Bajrami: Këta lëvizin me xhipa të zi e vendi i izoluar

“Këta njerëz e kanë izoluar Kosovën, na kanë futur nën sanksione. E patë letrën e ambasadorit të BE i cili tha se prej vendimit të Gjykatës Supreme nuk i njeh më në funksionet qeverisë dhe ata vazhdojnë sot të enen me xhipa të zi, t’i kenë me dhjetëra këshilltarë e asistentë dhe nuk e kanë fare problem që ta mbajnë vendin e izoluar” ,deklaroi Bajrami.

Ajo ka komentuar edhe punimin shkencor anti-UÇK, ku kryetar i Kuvendit, Dimal Basha kishte një shkrim brenda tij, duke thënë se ajo nuk do të kishte pranuar asnjëherë të kishte një shkrim të saj brenda kopertinave të librave të tillë.

Bajrami: Nuk kisha pranuar që një artikull i imi të qëndron brenda një libri anti-shqiptar

“Unë personalisht nuk kisha pranuar që as brenda kopertinave të një libri me qëndruar një artikull i imi bashkë me një hulumtuese e cila asgjë në jetën e vetë nuk kishte bërë vetëm kishte kontribuar në politikat anti-shqiptare”, tha ajo.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka shpall Listën Serbe terroriste ndonëse mundësia të tilla kishte.

Bajrami: Kur e kanë pas mundësinë me shpall Listën Serbe terroriste nuk e kanë bërë

“Këta kur e kanë pas mundësinë me shpall Listën Serbe terroriste nuk e kanë bërë një gjë të tillë, krejt mundësitë e botës i kanë pas kur e kanë pas mundësinë me kap Radojçiqin dhe sot me pas të mbyllur nuk e kanë bërë një gjë të tillë ia kanë krijuar korridorin dhe ai ka dal e sot me dal Albulena, Hekurani, Albini me na shit neve patriotizëm se kinse ne nuk po e votojmë kandidatin e tyre në Kuvend i takon me Kushtetutë e kanë lënë me i fituar 9 ulëse tash do ia marrin edhe 4 komuna këtu e kanë hallin se do i bjerë gënjeshtra katër vjeçare se ai kinse ka me udhëheqë me shqiptar shumicën e popullsisë serbe dhe këtij popullizmi duhet t’i themi të gjithë stop”, u shpreh deputetja e LDK-së.

Seanca konstituve e Kuvendit të Kosovës nisi me 15 prill, pas zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme që u mbajtën më 9 shkurt.

Nga atëherë e deri sot është tentuar 61 herë për konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në tentimin e 59 u zgjodh kryetar i Kuvendit, Dimal Basha. Sot dështuan të zgjidhet nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komuniteti serb edhe pas disa tentimeve për tre deputetët e këtij komuniteti. 


Go to TOP