Basha në Ditën e Personave të Zhdukur: Serbia po i vret çdo ditë qytetarët tanë duke mos treguar për fatin e tyre

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka dhënë një deklaratë me rastin e 30 gushtit – Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur. Ai tha se ende mbi 1,584 qytetarë të Kosovës mbeten të zhdukur me dhunë nga Serbia gjatë viteve 1998–1999, duke e cilësuar këtë plagë si njërën nga më të dhimbshmet për vendin dhe shoqërinë kosovare.

“Shpreh dhembjen dhe solidaritetin me të gjitha familjet që ende përballen me mungesën e më të dashurve të tyre dhe që vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë që u takon”, tha Basha.

Ai theksoi se Kuvendi i Kosovës kërkon me vendosmëri ndëshkimin e përgjegjësve për këto krime dhe i bëri thirrje Serbisë të përmbushë zotimet ndërkombëtare, përfshirë Aneksin e Ohrit të 18 marsit 2023 dhe Deklaratën e Përbashkët të 2 majit 2023, duke hapur arkivat shtetërore dhe duke bashkëpunuar me Komisionin e Përbashkët për Personat e Zhdukur, të themeluar në dhjetor 2024.

“Serbia, përveç se ka kryer gjenocid dhe ka vrarë mbi 10 mijë civilë të pafajshëm, edhe 26 vite më pas po i vret çdo ditë qytetarët tanë duke mos treguar për fatin e të zhdukurve me dhunë. Ju lusim, miq ndërkombëtarë, të rrisni trysninë ndaj Serbisë për të përmbushur këto detyrime me urgjencë, sepse para së gjithash është detyrim moral e njerëzor, por edhe obligim ndërkombëtar”, theksoi Basha. /Kosova.info/

Go to TOP