Bajrami: 1 qershori të shënohet si Dita e Mafisë Energjetike në Kosovë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka dalë me një reagim të ashpër ndaj qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje duke propozuar që 1 qershori të shënohet si “Dita e Mafisë Energjetike në Kosovë”. Ajo akuzon qeverinë Kurti për ndërtimin e një strukture të mirëorganizuar të kapjes së sistemit energjetik në vend, që nga prodhimi, licencimi, mbikëqyrja, e deri te përfitimi përmes tenderëve dhe faturave ndaj qytetarëve.
Sipas Bajramit, ajo që Albin Kurti dikur e quante “mafia energjetike” tashmë ka marrë formë konkrete, me emra, mbiemra dhe pozita të caktuara në institucione kyçe. Ajo përmend emërimin e Nagip Krasniqit në KEK, si dhe përfshirjen e tij në aktakuza për korrupsion, si pikënisje të kësaj strukture. Deputetja rikujton edhe rastin e ambasadorit Martin Berishaj, i cili brenda 24 orëve u pajis me pasaportë diplomatike dhe u emërua ambasador, ndërkohë që sipas saj, paguhej nga kompani energjetike përfshirë edhe GEN-in.
“Përmes faturave, EFT-ja e Vuk Hamoviçit përfiton miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës,” shkruan Bajrami duke e cilësuar këtë si një skemë të qëllimshme pasurimi të individëve të afërt me pushtetin.
Ajo shton se në media është raportuar se vëllai i kryeministrit Kurti, megjithëse punëtor i vjetër në KEK, është i përfshirë në çështje që ndërlidhen me energjinë. Po ashtu, sipas saj, një donator i LVV-së është emëruar drejtor i KEK-ut, ndërsa vëllai i shefit të kabinetit të Kurtit po tenton të hyjë në këtë sektor.
Deputetja e LDK-së përmend mesazhet e zbuluara në grupe WhatsApp-i ku, sipas saj, vendoset për tenderë milionësh të KEK-ut, edhe kur kompanitë nuk i plotësojnë kushtet. Ajo ndalet edhe te rasti i kompanisë NOA, që sipas saj, me vetëm 2 punëtorë, ka arritur të ketë një qarkullim prej 160 milionë euro në vitin 2024.
Në fund, Bajrami vë në dukje rritjen rekord të çmimit të energjisë gjatë qeverisjes Kurti dhe paralajmërimet e fundit për shtrenjtim të radhës. Ajo thotë se 1300 ndërmarrje që mbajnë gjysmën e sektorit privat po përballen me një “treg të hapur energjetik që nuk ekziston”, dhe me trefishim të faturave.
“Qeveria po punon kundër këtyre 1300 kompanive për t’ia rregulluar tregun kompanive si NOA dhe për t’ia rritur nesër shanset kompanisë së vëllait të Luan Dalipit,” përfundon ajo duke kërkuar hetim dhe auditim të plotë, dhe që Prokuroria të veprojë para se, sipas saj, të shkatërrohet gjithçka që është ndërtuar për 25 vite në sektorin e energjisë në Kosovë. /Kosova.info/
