Bajra: Politika nuk duhet të nxisë përçarje, por të promovojë unitetin dhe mirëkuptimin
Profesori universitar dhe aktivisti Ujkan Bajra ka adresuar shqetësimet e tij mbi qasjen politike në disa prej ngjarjeve të fundit në Kosovë duke theksuar mungesën e solidaritetit dhe përpjekjeve për unitet.
Në një deklaratë të bërë publike, Bajra kujtoi përmbytjet e mëdha që goditën komunën e Skënderajt në fillim të vitit 2023, duke shkaktuar dëme materiale që kapën vlerën mbi 12 milionë euro. Ai shprehu zhgënjim që deri më sot nuk është dëgjuar asnjë premtim konkret për mbështetjen e popullatës së prekur nga kjo fatkeqësi.
“Prisja që të dëgjohej ndonjë premtim konkret ose të shfaqej solidaritet me popullatën e prekur, por për fat të keq, kjo nuk ndodhi,” tha Bajra. Ai e konsideroi të panevojshme glorifikimin politik në një situatë ku populli kishte nevojë për zgjidhje praktike dhe mbështetje të prekshme.
Po ashtu, Bajra kritikoi përpjekjet e disa subjekteve politike në Deçan për të fituar vota duke nxitur urrejtje dhe përçarje, në vend që të promovonin frymën e unitetit dhe mirëkuptimit. Ai theksoi se një qasje e tillë është e papranueshme dhe bie ndesh me vlerat që duhet të udhëheqin shoqërinë kosovare.
“Folni dhe angazhohuni për politikën dhe çështjet që lidhen me të, por mbeteni brenda kësaj fushe. Mos dilni jashtë saj, sepse po krijoni frikë dhe pasiguri,” u shpreh ai.
Bajra përfundoi duke apeluar për unitet dhe solidaritet në të gjithë shoqërinë, duke theksuar se vetëm një frymë bashkimi mund të ndihmojë në përballimin e sfidave të mëdha dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë. /Kosova.info/
