Lani: Qeveria dështoi të ndihmojë Drenicën pas përmbytjeve, por kërkon votën e qytetarëve

Profesori universitar dhe gazetari, Arsim Lani, ka ngritur shqetësime mbi mospërkrahjen e Qeverisë së Kosovës për komunën e Skënderajt pas përmbytjeve të vitit 2023 duke kritikuar gjithashtu vizitën e fundit të kryeministrit në këtë zonë për të kërkuar votën e qytetarëve.

Në një deklaratë publike, Lani kujtoi situatën e rëndë në të cilën kishte përfunduar qyteti i Skënderajt pas vërshimeve katastrofike, të cilat shkaktuan dëme të mëdha materiale dhe lanë shumë familje të pafuqishme për të rimëkëmbur jetën e tyre.

“Asnjë centë ndihmë nga Qeveria e Kosovës për Drenicën. E njëjta Qeveri, më pas, ndau 200 mijë euro për vërshimet në Bosnjë,” tha Lani duke kritikuar qasjen e institucioneve ndaj nevojave emergjente të qytetarëve në vend.

Ai e konsideroi të pakuptimtë dhe ironike vizitën e kryeministrit në Skënderaj, duke theksuar se një udhëheqës që nuk tregoi solidaritet kur ishte më e nevojshme tani po kërkon mbështetje nga banorët e prekur. /Kosova.info/


Go to TOP