Osmani: Kosova, e ndërtuar mbi historinë e dhimbshme të luftës dhe gjenocidit, e kupton më së miri rëndësinë e luftës kundër urrejtjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të  Auschwitz-Birkenau në Krakow të Polonisë, krahas liderëve botërorë.

 Kjo është hera e parë që kreu i shtetit merr pjesë në këtë ngjarje përkujtimore, duke dëshmuar përkushtimin e Kosovës për paqen dhe solidaritetin ndërkombëtar. 

Në fillim të ceremonisë, Presidentja Osmani u prit nga presidenti polak, Andrzej Duda. Ajo shprehu mirënjohje për ftesën dhe potencoi rëndësinë e kujtesës historike për krimet e kryera. 

Kujtimet e disa të mbijetuarve nga kampi Auschwitz-Birkenau sollën rrëfime tronditëse nga kampi i tmerrit me mesazhin e qartë që e shkuara e tyre të mos jetë e ardhmja e fëmijëve tanë. 

Në përkujtim të kësaj dite, gjatë bisedave me liderët e tjerë, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e kujtesës historike për të parandaluar përsëritjen e tmerreve të së kaluarës dhe për t`i promovuar vlerat universale të paqes, barazisë dhe humanizmit. 

Presidentja Osmani nënvizoi përvojën e tmerrshme të Kosovës, e cila e ka përjetuar luftën dhe gjenocidin nga ana e regjimit të Millosheviqit duke theksuar se kjo përvojë e bën Kosovën një zë të fuqishëm në luftën kundër urrejtjes dhe diskriminimit. 

“Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit na kujton se duhet të qëndrojmë bashkë kundër çdo forme urrejtjeje dhe të sigurohemi që kurrë më të mos përsëriten tmerret e së kaluarës. Kosova, e cila ka kaluar përmes tmerreve të luftës dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Millosheviqit, e kupton më së miri rëndësinë e luftës kundër urrejtjes dhe angazhimin për një të ardhme më humane dhe të drejtë”, theksoi Presidentja Osmani. 

Më tej, Presidentja potencoi kontributin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve gjatë Holokaustit, duke kujtuar se ata hapën dyert dhe zemrat për hebrenjtë, bazuar në vlerat e besës shqiptare, një akt që mbetet dëshmi e fuqisë së humanizmit dhe solidaritetit. /Kosova.info/


Go to TOP