Asetet e BQK-së në shkurt shënuan vlerën prej 1.56 miliardë euro

Sipas kalendarit të publikimeve, BQK publikoi bilancin e gjendjes, pasqyrën e BQK-së dhe asetet rezervë për shkurt 2024.

Asetet e BQK-së në fund të muajit shkurt 2024 shënuan vlerën prej 1.56 miliardë euro, duke përfaqësuar rënie për 22.6 milionë euro krahasuar me muajin paraprak, kryesisht si rezultat i zvogëlimit të bilancit të depozitave të qeverisë (32.4 milionë euro), fondeve pensionale (3.0 milionë euro) dhe korporatave publike jofinanciare (1.4 milionë euro). Në anën tjetër është shënuar rritje në depozitat e bankave komerciale (9.5 milionë euro).

Nga gjithsej asetet, vlera e investimeve në depozita dhe letrat me vlerë jashtë vendit më 29 shkurt 2024 ishte 1.08 miliardë euro. Krahasuar me muajin paraprak, investimet e BQK-së jashtë vendit në formë të depozitave dhe letrave me vlerë janë rritur për 17.4 milionë euro, prej të cilave, investimet në depozita janë rritur për 56.9 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë janë zvogëluar për 39.5 milionë euro.

Depozitat në BQK më 29 shkurt 2024 ishin 1.29 miliard euro, prej të cilëve 430.5 milionë euro ishin nga qeveria qendrore, 558.0 milionë euro nga bankat komerciale, 166.8 milion euro nga AKP dhe 132.5 milion euro të tjerat.

“Kapitali i BQK-së më 29 shkurt 2024 ishte 105.3 milionë euro. Ndërsa, sa i përket aseteve të rezervës ndërkombëtare në fund të muajit shkurt 2024, ato shënuan vlerën 1.18 miliardë euro, e cila përfaqëson rënie për 10.94 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Kësaj rënie kryesisht i ka kontribuar zvogëlimi  i investimeve në letra me vlerë për 32.46 milionë euro, ndërsa depozitat janë rritur për 23.63 milionë euro”, njofton BQK. /Kosova.info/

Go to TOP