​Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Konjufcës për hedhjen e gazit në Kuvend

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ku ish-kryetari i Kuvendit të Kuvendit, Glauk Konjufca, akuzohej për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Konjufca ishte liruar nga akuza, me arsyetimin se nuk ishte provuar se ai e kishte kryer veprën penale.

Sipas njoftimit: “Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë P.nr.464/17, datë 26.02.2024, përkitazi me veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375 paragrafi 1 i KPRK-së, e ka anuluar dhe lëndën e ka kthyer të njëjtës gjykatë për rigjykim dhe vendim”.

Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte paraqitur Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se ankesa e prokurorisë është e bazuar e duke e shqyrtuar edhe sipas detyrës zyrtare vlerëson se aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e që lidhen me vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal, shkelje këto të karakterit absolut që detyrimisht kushtëzojnë anulimin e këtij aktgjykimi. Aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale pasi që në rastin konkret gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar drejtë dhe në mënyrë të plotë provat e administruara si: dëshmitë e dëshmitarëve, pastaj provat materiale si raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe lokacioni i incidentit”, njofton Apeli.

Sipas vlerësimit të kolegjit penal të kësaj gjykate vendimi është jo i plotë dhe nuk është i drejtë ngase në ketë çështje penale përpos deklarimit të akuzuarit në prokurori, kemi edhe deklaratat e dëshmitarëve, provat tjera materiale e sidomos procesverbalin e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, nga të cilat gjykata në fjalë është dashur ti vërtetojë në mënyrë të plotë dhe ti argumentojë bindshëm.


Go to TOP