Dita Globale e Zgjedhjeve: DnV kërkon transparencë dhe përmbyllje të plotë të procesit zgjedhor në Kosovë

Sot shënohet Dita Globale e Zgjedhjeve, një ditë që rikujton rëndësinë e votimit si një nga të drejtat më themelore qytetare dhe mekanizmin kryesor përmes të cilit qytetarët shprehin vullnetin e tyre në mënyrë demokratike. Kjo e drejtë, megjithatë, merr kuptim të plotë vetëm kur procesi zgjedhor është i besueshëm dhe rezultati i tij pranohet si i tillë.

Në Kosovë, procesi i fundit zgjedhor ende nuk është përmbyllur plotësisht. Dyshimet për manipulime dhe zvarritjet në përfundimin e procedurave paszgjedhore nuk konsiderohen thjesht çështje teknike, por problematika që ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e publikut dhe në perceptimin e qytetarëve për vlerën e votës së tyre.

Zgjedhjet, theksohet, nuk përbëhen vetëm nga dita e votimit, por janë një proces i tërësishëm që kërkon standarde të qarta, zbatim të barabartë të rregullave dhe integritet në çdo fazë – nga administrimi i votimit deri te certifikimi i rezultateve.

Në këtë kontekst, Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e procesit dhe do të kërkojë transparencë dhe llogaridhënie institucionale deri në përmbylljen e plotë të procedurave zgjedhore. Sipas DnV-së, integriteti zgjedhor mbetet kushti minimal për funksionimin e demokracisë dhe ndërtimin e institucioneve të besueshme në vend. /Kosova.info/


Go to TOP