Analistët e konsiderojnë fitore të opozitës karshi Kurtit, formimin e dy komisioneve hetimore për energjinë – Abazi mendon ndryshe

Beteja e sotme në Kuvendin e Kosovës, që rezultoi me themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë, po cilësohet nga analistët fitore e opozitës karshi qeverisjes së Vetëvendosjes. Ata thonë se shumica shtoi dyshime duke refuzuar themelimin e një komisioni hetimor për energjinë.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se nuk kishte asgjë të keqe për krijimin e një komisioni hetimor.

“Edhe pse unë personalisht nuk iu besoj këtyre komisioneve hetimore parlamentare, nuk ka asgjë të keqe që formohen komisione të tilla…Vërtetë u bë shumë zhurmë për asgjë për krijimin e një komisioni që do të duhej të lejohej qysh në fillim”, deklaroi analisti.

Megjithatë ai thotë se opozita nuk mund të luftojë Qeverinë me metodat e Vetëvendosjes.

Edhe analisti Ylli Hoxha thotë se nëse opozita ka 40 deputetë, ata mund të bëjnë kërkesë për themelimin e çfarëdo komisioni hetimor parlamentar.

“Nuk është sjellje demokratike nga ana e pozitës që kjo të kërkojë të zgjerojë këtë komision. Unë mendoj se ky ka qenë gabimi më i madh i Vetëvendosjes prej momentit kur ka ardhur në pushtet pasi për herë të parë është vendosur në defensivë. Opozita e ka fillua një ofensivë që sot e ka konkretizuar me sukses. LVV është dashur të miratojë menjëherë komisionin dhe të thotë eja hetojmë ku keni dyshime. Ka qenë një betejë e gabuar e Vetëvendosjes dhe humbje kohe në agjendën reformuese që e ka para vetes”.

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se LVV deri sot i ka quajtur këto komisione në kundërshtim me ligjin, por sipas tij sot u vendos ndryshe.

“Unë mendoj se opozita ka dalë fituese në këtë rast. Ata kanë qenë të kujdesshëm dhe asnjëherë nuk kanë kundërshtuar një komision të propozuar nga shumica parlamentare. Ata kanë thënë se janë për dy komisione. Ata e fituan betejën. Qeveria e humbi betejën pasi duke refuzuar komisionin ka ngjallur më shumë dyshime se vërtet që ka pasur”.

Mirëpo deputeti i LVV-së, Haki Abazi i pranishëm në debat thotë se ata e marrin seriozisht formimin e çdo komisioni jo siç ka ndodhur deri më tani.

“Deri më sot komisionet kanë shpenzuar vetëm resurse, mëditje e kohë”, ka deklaruar Abazi.

Ai ka thënë që opozita po e luan rolin e pozitës në Kuvend, duke u munduar që storien e tyre për menaxhimin e energjisë të ndërtuar për 15 vite ta krahasojnë me 4 muaj të krizës energjetike.

Abazi madje ka shprehur, se ka tendenca nga deputetë të opozitës për të bërë betejë fjalësh në Kuvend.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për themelimin e dy komisioneve hetimore për energjinë elektrike gjatë seancës së 5 majit, gjatë së cilës pati debate të ashpra.

Një komision hetimor është iniciuar nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe i njëjti do të kryesohet nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

Ndërkaq, komisioni hetimor i iniciuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, do të udhëhiqet nga deputeti Hajdar Beqaj i PDK-së.

Komisioni hetimor i propozuar nga opozita mëton që të hetojë të gjitha masat e ndërmarra gjatë periudhës së gjendjes emergjente për energjinë, që Kuvendi kishte votuar për të shpallur vitin e kaluar.

Ndër masat e ndërmarra në periudhën e gjendjes emergjente ishin: vendosja e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosja e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë. Si pasojë e krizës energjetike, Kosova u përball me shtrenjtim të rrymës.

Ndërkaq, komisioni hetimor i Lëvizjes Vetëvendosje kërkon që të hetohen aktivitetet në sektorin e energjisë në periudhën kohore 2006-2022. Këtu përfshihet hetimi i investimeve kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës pas privatizimit të distribucionit në këtë kompani.

Go to TOP