Ambasadorët e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe në zyrën e Lulzim Bashës pas tensioneve në selinë e PD

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe kanë shkuar paraditen e së martës në selinë e Partisë Demokratike ku janë takuar me Lulzim Bashën.

Takimi i cili ka zgjatur rreth 70 minuta, sipas burimeve ka ardhur me kërkesë të trupit diplomatik në Tiranë.

Ky takim vjen një ditë pas tensioneve të shënuara në selinë blu, ku ish-kryeministri Sali Berisha bashkë me mbështetësit e tij hynë në selinë e PD ku zhvilluan një mbledhje me komisionin e rithemelimit, të votuar gjatë kuvendit të 11 dhjetorit.

Berisha tha se u mor vendim për të organizuar një referendum të anëtarësisë së partisë për largimin e Lulzim Bashës nga partia.

Ish-kryeministri ngriti akuza se brenda selisë të Partisë Demokratike ka persona të armatosur që kanë kërcënuar anëtarët e Forumit Rinor.

Nga ana tjetër kryetari i PD, Lulzim Basha u tregua i ashpër me fjalët e tij ndaj Berishës, duke e quajtur ish-komunist që po bën gjithçka që të mbrojë interesat e veta edhe në kurriz të partisë.

Go to TOP