AKB: Varfëria në Kosovë kërkon ndërhyrje urgjente dhe investime strategjike
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) mbajti mbledhjen e rregullt të Bordit Drejtues, ku u diskutuan shtatë pika të rendit të ditës.
Ndër temat kryesore ishte shqetësimi për nivelin e lartë të varfërisë në Kosovë, veçanërisht në mungesën e investimeve strategjike që po përkeqësojnë gjendjen ekonomike të vendit. Bordi i AKB-së theksoi rëndësinë e investimeve në Veri të Kosovës, duke i parë si një mundësi për të integruar atë pjesë dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës për banorët e saj.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se raporti i fundit që e rendit Kosovën si vendin më të varfër në Ballkanin Perëndimor dhe të dytë në Evropë është një alarm për urgjencën e përmirësimit të politikave ekonomike.
Sipas Shahinit, qeveria duhet të hartojë një strategji kundër varfërisë, duke mbështetur projektet zhvillimore të sektorit privat, të cilat mund të luajnë një rol vendimtar në rimëkëmbjen ekonomike dhe luftimin e varfërisë në Kosovë. /Kosova.info/
