Ajvazi kërkon shtyrje të daljes në tregun e lirë të energjisë: Rrezikohen prodhuesit dhe mijëra vende pune

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me Bordin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ku ka paraqitur shqetësimet e sektorit prodhues në lidhje me vendimin për daljen e detyrueshme në tregun e lirë të energjisë nga 1 qershori 2025.

Në këtë takim, Ajvazi kërkoi shtyrjen urgjente të vendimit për të paktën një vit, për t’i dhënë kohë bizneseve të përgatiten për ndryshimin e madh që pritet të ndikojë ndjeshëm në kostot e tyre operative.

Ai theksoi se nga 19 operatorë të licencuar, vetëm një ka ofruar kontratë për furnizim me energji – dhe atë me çmim të paktën dyfish më të lartë se tarifa aktuale, gjë që, sipas tij, është e papërballueshme për shumë ndërmarrje vendore.

Ajvazi ngriti gjithashtu shqetësime për paqartësitë ligjore në interpretimin e kritereve për përfshirje në këtë kategori të konsumatorëve duke theksuar trajtimin e pabarabartë të bizneseve që ndajnë të njëjtat karakteristika në qarkullim dhe numër punëtorësh. Po ashtu, ai kritikoi zbatimin selektiv të nenit 37 nga KESCO dhe mungesën e transparencës në këtë proces, që, sipas tij, ka lënë shumë biznese në pasiguri dhe pa mundësi reale për të ushtruar të drejtën për shërbim universal.

“Kjo nuk është një çështje politike. Kjo është një thirrje për drejtësi dhe barazi për ata që punojnë, investojnë dhe krijojnë vlerë për ekonominë tonë,” deklaroi Ajvazi duke u bërë thirrje institucioneve që të veprojnë me përgjegjësi në mbrojtje të prodhimit vendor dhe të mijëra vendeve të punës që janë në rrezik. /Kosova.info/


Go to TOP