AGK mirëpret lirimin e kameramanit Tahiri

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikate e ka mirëpritur lirimin e kameramanit të “Betimi për Drejtësi”, pas mbajtjes së tij më herët gjatë ditës nga policia në Prizren. 

“Media ku punon Arianit Tahiri ka njoftuar se ai është intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit, ndërsa dëshmi si dëshmitare për këtë rast ka dhënë edhe gazetarja Alberta Hashani. ‘Betimi për Drejtësi’ kërkon nga institucionet e sistemit të drejtësisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, që të marrin masa që rastet e tilla të pengimit të punës së gazetarëve dhe kameramanëve mos të përsëriten, pasi që legjislacioni pozitiv garanton ushtrimin e profesionit të profesionistëve të mediave si dhe mbron në mënyrë adekuate pajisjet e punës së tyre”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Tutje, ky asociacion thekson se i bashkohet thirrjes së “Betimit për Drejtësi” për hetime të plota për incidentin dhe marrjen e masave ndaj të gjithë përgjegjësve, në mënyrë që të mos përsëritet në asnjë rrethanë kufizimi dhe frikësimi i gazetarëve gjatë kryerjes së punës së tyre. /Kosova.info/

Go to TOP