Ademi viziton fermën “Demaj Farm” në Stubëll: Premton mbështetje për zhvillimin e bujqësisë në Viti

Kandidati për kryetar të komunës së Vitisë, Arsim Ademi, së bashku me zëvendësministrin e Bujqësisë, Imri Demelezi, ka vizituar fermën e derrave “Demaj Farm” në Stubëll.

Fabrika, e drejtuar nga Zef Demaj, ka kapacitet prodhues prej rreth 500 gicash në vit, ndërsa aktualisht ka 33 derra të mëdhenj dhe 150 gica. Synimi i saj është që brenda një viti të arrijë në 1000 krerë.

Pronari Zef Demaj u shpreh mirënjohës për mbështetjen e Qeverisë përmes subvencioneve dhe granteve të Ministrisë së Bujqësisë duke theksuar se kjo përkrahje është motivim për fermerët që të rrisin prodhimin dhe të krijojnë vende të reja pune.

Ademi, nga ana e tij, garantoi se përkrahja do të vazhdojë edhe në nivel lokal duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të bujqësisë, blegtorisë dhe agroturizmit në komunë. Sipas tij, kjo do të mundësojë kushte më të mira pune për fermerët, rritje të konkurrueshmërisë së produkteve vendore dhe shndërrimin e Vitisë në një qendër zhvillimi në këto fusha.

“Bashkë për Vitinë që meriton më shumë”, theksoi Ademi. /Kosova.info/


Go to TOP