Abdullahu-Leku: Populli i Kosovës është mjaft solidar për refugjatët

Nazmije Abdullahu-Leku, menaxhere e projektit nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të të mbijetuarve të torturës si dhe Derand Krasniqi nga UNHCR të ftuar në “Info Plus” të RTK-së kanë folur për ditën botërore të refugjatëve.

Po ashtu, këtë të enjte zyra e UNHCR-së në Prishtinë dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, kanë shfaqur instilacionin artistik “Solidariteti”, me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve.

Duke folur për solidaritetin e popullit të Kosovës, pasi këta vetë kanë përjetuar dëbim, Nazmije Abdullahu-Leku  tha se populli i Kosovës është mjaft solidar sa i përket refugjatëve.

“Pranimi i refugjatëve dhe azilkërkuesve në mesin e shoqërisë Kosovare është i dukshëm:, tha Nazmije Abdullahu-Leku, duke shtuar se ka fëmijë refugjatësh që janë duke u shkolluar në shkollat e Kosovës.

Prandaj, ajo tha se kjo e tregon më së mirë se si solidarizohet populli i Kosovës me refugjatët.

“Komuniteti në Kosovë i ka pritur shumë mirë, mësimdhënësit madje edhe nxënësit  kanë qenë shumë të afërt me ta dhe kjo tregon solidaritet. Gjithashtu nuk duhet harruar edhe mbështetja e  tyre nga ana e institucioneve të Kosovës, të cilat kanë krijuar një sistem i cili i përgjigjet standardeve të Bashkimit Evropian dhe se i gjithë legjislacioni ndërkombëtarë është i inkorporuar në legjislacionin e Kosovës”, tha ajo.

Në anën tjetër Derand Krasniqi nga UNHCR-ja, duke folur instilacionin artistik “Solidariteti”, me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, tha se forma më e mira për t’i sjell publikut vuajtjet dhimbjet e emocionet janë nëpërmjet artit.

“Arti është i vetmi që mund t’i ngacmoj emocionet lehtësisht. Popullata e Kosovës e ka provuar këtë në kurrizin e vetë-largimin e zhvendosjen nga shtëpitë e tyre dhe është shumë e lehtë për këta ta kuptojnë ndjenjën e të qenit i ikur apo refugjat”, tha Derand Krasniqi nga UNHCR-ja.

Ndryshe, miliona familje kanë humbur shtëpitë e tyre gjatë konflikteve të dhunës dhe luftrave nëpër botë, prandaj Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka vendosur që 20 qershori të shënohet si Dita Botërore e Refugjatëve.

Dita Botërore e Refugjatëve është themeluar nga Kombet e Bashkuara për të nderuar guximin, forcën dhe vendosmërinë e grave, burrave dhe fëmijëve të cilët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e persekutimin, konflikteve dhe dhunës.

Ndërkohë, Evropa aktualisht është duke kaluar në një krizë të refugjatëve e cila ka nisur kur fluksi i madh i njerëzve filluan të ikin nga konflikti në Lindje të Mesme dhe Afrikë.

Të dhënat e fundit e Organizatës së Kombeve të bashkuara tregojnë se mbi 70 milionë njerëz kanë ikur nga vendet e tyre për shkak të luftërave në mbarë botën.

Go to TOP