Abdixhiku pret përfaqësuesit amerikanë të Lutjeve të Mëngjesit: LDK do të mbetet urë e miqësisë Kosovë-SHBA
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore të partisë përfaqësuesit dhe organizatorët e Lutjeve të Mëngjesit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në takim morën pjesë Van Voung, Steve Savelich dhe Ray Schmidt, të shoqëruar nga profesori Shala, ndërsa Abdixhiku ishte i shoqëruar nga anëtarët e kryesisë Besian Mustafa, Armend Zemaj dhe Visar Hoti.
Kryetari i LDK-së shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme që ky organizim shumëvjeçar i ka dhënë Kosovës dhe përfaqësuesve të saj ndër vite. “Kosova ka nevojë sot edhe më shumë për dorën e miqësisë,” theksoi ai duke kujtuar rolin e pazëvendësueshëm të miqve amerikanë në momentet më të vështira të historisë së vendit.
Abdixhiku vlerësoi Lutjet e Mëngjesit si simbol të bashkimit shpirtëror dhe politik, ku, siç u shpreh ai, “dallimet tejkalohen për hir të paqes, mirëkuptimit dhe dashurisë për tjetrin.”
Ai theksoi se kjo frymë është edhe themeli mbi të cilin u ndërtua miqësia mes Kosovës dhe SHBA-së dhe se LDK, si partia që e vendosi këtë raport në bazën e identitetit shtetëror të Kosovës, do të vazhdojë të mbetet një urë e fuqishme e bashkëpunimit me Perëndimin.
“Do të jemi gjithnjë falënderues e gjithnjë të angazhuar për ta ruajtur këtë aleancë, si pasuri të popullit tonë,” përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/
