Ambasadori i BE-së në Kosovë viziton Junikun, diskutohet shtrati i Erenikut e menaxhimi i mbeturinave

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar këtë të premte Junikun, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Ruzhdi Shehu.

Ky i fundit përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për shqetësimet dhe kërkesat emergjente të qytetarëve junikas, siç janë shtrati i lumit Erenik, ujërat e zeza, deponia dhe grumbullimi i mbeturinave.

“Z. Szunyog theksoi që edhe për BE është në fokus pikërisht mbrojtja e ambientit. Rrjedhimisht ai konfirmoi gatishmërinë nga BE për të përkrahur Komunën e Junikut lidhur me këto tema të interesit të përbashkët”, ka shkruar Shehu.

Mes tjerash ai ka bërë të ditur se kanë marrë pjesë edhe në aktivitetet e fushatës kulturore të fëmijëve me temë “Mbështetja e BE për Kosovën”.

“Me këtë rast fëmijët në Komunën e Junikut kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme të pikturimit në shtratin e lumit Erenik si dhe kanë performuar me vallëzime dhe këndime të ndryshme për fëmijë”.

Go to TOP