AARC dhe OEAK: Vonesat në formimin e institucioneve kërcënojnë stabilitetin dhe investimet
Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë lidhur me vonesat e vazhdueshme në konstituivin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sipas tyre, në një periudhë me sfida dhe mundësi vendimtare për Kosovën, ky stagnim institucional dëmton stabilitetin demokratik, zhvillimin ekonomik dhe kredibilitetin ndërkombëtar të vendit.
Përmes një deklarate të përbashkët, dy organizatat u bëjnë thirrje liderëve politikë të Kosovës që të veprojnë me urgjencë dhe përgjegjësi për të ndërtuar institucione funksionale. “Vonesat rrezikojnë të largojnë përkrahësit e shtetësisë së Kosovës dhe i japin hapësirë kundërshtarëve të saj”, thuhet në deklaratë.
AARC dhe Oda Amerikane theksojnë se asnjë kalkulim politik nuk mund të justifikojë bllokadën aktuale dhe se qytetarët kanë dhënë tashmë mandatin e tyre, i cili duhet të respektohet pa vonesa. Ata kërkojnë që partitë politike të lënë mënjanë dallimet dhe të përqendrohen në interesin e përbashkët – forcimin e partneritetit me SHBA-të, zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Në deklaratë propozohet edhe krijimi i një Partneriteti Ekonomik Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në investime, eksport, energji, inovacion dhe transformim digjital. Ky partneritet do të mbështetej në vlerat demokratike të përbashkëta dhe do të shërbente si bazë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe integrimin në zinxhirët globalë të vlerës.
AARC dhe Oda Amerikane gjithashtu mbështesin heqjen e tarifave doganore për mallrat amerikane – një veprim që, sipas tyre, do të sinjalizonte përkushtim të Kosovës për një treg të hapur dhe të drejtë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e deklaratës është roli i diasporës shqiptare, e cila cilësohet si një katalizator i fuqishëm për zhvillimin ekonomik dhe ndërkombëtarizimin e vendit. Organizatat u bëjnë thirrje institucioneve të angazhojnë diasporën në mënyrë aktive dhe të shmangin procedurat burokratike që pengojnë investimet e saj.
Në përmbyllje, AARC dhe Oda Ekonomike Amerikane riafirmojnë përkushtimin e tyre për të ndihmuar në përparimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës duke theksuar se “koha për lidership të vendosur është tani” dhe se “e ardhmja e Kosovës varet nga ky moment vendimtar.” /Kosova.info/
