AAK premton projekte të reja zhvillimore në Klinë

AAK aktivitete elektorale ka mbajtur edhe në Klinë. Drejtuesit e kësaj partie kërkuan mbështetjen e qytetarëve për kandidatin e tyre, Zenun Elezaj, në mënyrë që siç u shprehën ata, të vazhdojnë projektet e reja për zhvillimin e kësaj komune.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur takimin elektoral në fshatin Zllakuqan të Klinës, ku të pranishëm ishin qytetarë dhe mbështetës të kësaj partie. Në këtë tubim mori pjesë edhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, i cili shprehu përkrahjen e plotë për kandidatin për kryetar të Klinës, Zenun Elezaj.

“Po ju them ktheni kokën mbrapa qysh kemi qenë tetë vjet mbrapa dhe çfarë kërkesash ka pasur komuniteti këtu para tetë viteve e shumica prej tyre kur i shohim sot në tavolinë janë realizuar. E di që ka shumë kërkesa. Ka  kërkesa për punësim, njerëzit po na largohen për shkak të mos-zhvillimit ekonomik, por kuptojeni saktë se kush duhet të votohet me 12 tetor”, tha Haradinaj.

Kandidati Zenun Elezaj para banorëve paraqiti objektivat kryesore të programit të tij, duke theksuar përkushtimin për përmirësimin e jetës në çdo lagje dhe fshat të komunës.

“Për këto vite sa qeverisëm vërtet kemi punua shumë dhe ju kemi shërbye qytetarëve kemi mbulua infrastrukturën rrugore mbi 95%, gjithashtu kemi mbulua rrjetin e kanalizimit, kemi bërë investime në shkolla, do të vazhdojmë që të kalojmë në sistemin e mësimit tërëditor paraprakisht në vitin 2026, do të përgatitim edhe nevojën për tjetër buxhet”, tha Zenun Elezaj, kandidat për kryetar të Klinës nga AAK.

Gjatë fjalimeve, u theksua rëndësia e vazhdimit të projekteve zhvillimore në komunë dhe nevoja për mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 12 tetorit, në mënyrë që Klinës t’i sigurohet një mandat i ri me vizion të qartë për zhvillim.


Go to TOP