Korçë, arrestohen tre të tjerë për trafik droge drejt Greqisë, shkon në 10 numri i të ndaluarve nga ‘Restart’

Policia e Korçës ka arrestuar tre persona për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë. Të arrestuarit janë: Ertin Hoxhalli, Kastriot Hoxha dhe Zarif Beqiri. Ata u arrestuan në vazhdën e operacionit “Restart”  që u zhvillua pas hetimeve intensive nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Të arrestuarëve iu gjetën 70 kg kanabis, një automatik, një krëhër me municion pa leje dhe një peshore elektronike.

Arrestimi i tyre e çoi në 10 numrin  e të ndaluarve në kuadrin e operacionit “Restart” dhe në total, 322 kg sasinë e kanabisit të sekuestruar.

Grupi kriminal merrej me trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë, shpërndarjen e tyre dhe zotëronte armë.

I arrestuari  Ertin Hoxhalli, 35 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq,  aktualisht ishte në shërbim prove.

Kastriot Hoxha, 42 vjeç, banues në fshatin Kurilë të Devollit ishte edhe ai me precedent të mëparshëm penal në fushën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe i treti, Zarif Beqiri, 53 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq, nuk rezultonte me dosje kriminale.

Policia e Korçës tha se si rezultat i informacioneve të grumbulluara se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim mes tyre ushtronin aktivitetin e paligjshëm të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në fshatrat e Njësisë Administrative Pojan, Maliq, trafikimit të tyre në drejtim të shtetit grek si edhe posedonin armë pa leje, shërbimet e policisë organizuan punën, bënë lokalizimin e personave dhe ushtruan kontrolle në banesat e tyre, në fshatrat Zëmblak dhe Kurilë.

Konkretisht gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Hoxhallit, forcat e policisë gjetën dy pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë 1.5 kg dhe 1 peshore elektronik.

Në banesën e Kastriot Hoxhës u gjet 1 armë zjarri tip automatik, me një krëhër të vendosur në folenë e tij, me 9 fishekë pa leje dhe në banesën e Zarif Beqirit u gjetën 126 pako, me lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë totale 70 kg, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, e mbetur në tentativë, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe  i municionit”.

Go to TOP