Nis implementimi i Platformës Mbarëqeveritare për transformimin digjital

Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe i Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka hapur sot punimet për fillimin e implementimit të Platformës Mbarëqeveritare (WoG), një projekt që synon modernizimin e mënyrës së funksionimit të institucioneve publike.

Sipas Ministrisë, kjo platformë nuk paraqet vetëm një projekt të teknologjisë së informacionit, por një investim në mënyrën se si qeveria planifikon, koordinon, zbaton dhe monitoron politikat publike.

Përmes kësaj platforme pritet të ndërtohet një shtyllë e rëndësishme e transformimit digjital të qeverisë, duke kaluar nga proceset e fragmentuara drejt një administrate më të integruar, të koordinuar dhe të mbështetur në të dhëna.

Platforma WoG do të krijojë një hapësirë të përbashkët digjitale për institucionet publike, duke mundësuar planifikimin strategjik, monitorimin e Programit të Qeverisë dhe Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, menaxhimin e rrjedhave të punës, raportimin analitik dhe integrimin me sistemet ekzistuese qeveritare.

Këto përfshijnë sistemet për menaxhimin e financave publike, burimeve njerëzore, pagave, aseteve, legjislacionit dhe platformave të tjera të përbashkëta institucionale.

Ministria ka bërë të ditur se përmes standardizimit të proceseve dhe automatizimit të rrjedhave të punës, platforma do të ndihmojë në uljen e barrës administrative, thjeshtimin e procedurave dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve publike.

Gjatë fazës së implementimit, së bashku me institucionet pjesëmarrëse do të shqyrtohen dhe do të validohen kërkesat funksionale dhe teknike të platformës, në mënyrë që ajo t’u përshtatet nevojave reale të administratës publike.

“Një qeveri moderne nuk ndërtohet vetëm mbi teknologjinë. Ajo ndërtohet mbi procese të standardizuara, bashkëpunim institucional, menaxhim të bazuar në të dhëna dhe llogaridhënie”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, duke theksuar se këto janë objektivat kryesore të Platformës Mbarëqeveritare. /Kosova.info/

Go to TOP