KDI: Presidentja në detyrë ta caktojë sa më parë seancën konstituive

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka bërë thirrje Presidentes në detyrë, Albulena Haxhiu, që pas përfundimit të konsultimeve me subjektet politike parlamentare, të caktojë sa më parë datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.

Në një reagim publik, KDI thekson se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit ka nisur afati kushtetues për konstituimin e legjislaturës së re, duke vlerësuar se afati 30-ditor është kufiri maksimal kushtetues dhe nuk duhet të shndërrohet në periudhë pritjeje, pasigurie dhe mosfunksionimi të Kuvendit.

Sipas KDI-së, edhe pse afati kushtetues nuk ka përfunduar ende, Presidentja në detyrë ka përgjegjësi institucionale që të shmangë çdo vonesë të panevojshme dhe të sigurojë fillimin me kohë të procesit të konstituimit të Kuvendit, në përputhje me interesin publik.

Instituti vlerëson se Kosova, pas një periudhe të zgjatur me institucione në detyrë, ka nevojë për institucione me mandat të plotë, të afta për të ushtruar përgjegjësitë e tyre kushtetuese. Po ashtu, rikujton se përvojat e mëparshme kanë dëshmuar se vonesat në konstituimin e institucioneve mund të krijojnë bllokada dhe të dëmtojnë funksionimin normal të shtetit.

KDI i ka kërkuar ushtrueses së detyrës së Presidentes që, pas përfundimit të konsultimeve, të caktojë sa më parë datën e seancës konstituive, në mënyrë që procesi të përfundojë brenda afatit dhe të shmanget afrimi i panevojshëm me kufirin kushtetues të 7 gushtit.

Po ashtu, organizata ka kërkuar që Presidentja në detyrë t’u bëjë thirrje publike subjekteve politike parlamentare për pjesëmarrje konstruktive në seancë, me qëllim që Kuvendi të konstituohet plotësisht, si dhe ta informojë publikun brenda 48 orëve për përfundimin e konsultimeve dhe datën e pritshme të seancës konstituive.

Sipas KDI-së, konstituimi i Kuvendit është parakusht për formimin e institucioneve të reja, përfshirë Qeverinë dhe zgjedhjen e Presidentit të ri, si dhe për rikthimin e funksionimit të plotë të rendit kushtetues dhe ushtrimin e funksioneve legjislative e mbikëqyrëse të Kuvendit. /Kosova.info/


Go to TOP