Emërohen 8 ministrat e rinj të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka emëruar tetë ministrat e rinj në kuadër të rikonstruktimit të Qeverisë, ku prej tyre 3 janë nga Lëvizja VLEN.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, me 69 vota për, asnjë kundër dhe pa abstenime, emëroi tetë ministrat e rinj në kuadër të rikonstruktimit të Qeverisë. Nga tetë ministrat e rinj, tre janë nga Lëvizja VLEN.

Profesori universitar, Jeton Shasivari u emërua ministër i ri i Drejtësisë, Agon Ferati, ministër për Marrëdhënie mes Bashkësive dhe Sedat Sulejmani u emërua ministër i Kulturës. Gjatë ditës, ata pranuan edhe detyrën nga paraardhësit e tyre. VLEN drejton me gjithsej gjashtë ministri. Rikonstruktimi i qeverisë u propozua nga kryeministri Hristijan Mickoski, pas të cilit pasoi një debat i ashpër në Kuvend.

“Që nga dita e parë që morëm përgjegjësinë, thashë se kjo Qeveri nuk do të ishte një qeveri rehatie, por një qeveri rezultatesh”, tha Hristian Mickovski, kryeministër i RMV-së.

“Jo vetëm ne, por edhe vetë kryeministri nuk beson në përzgjedhjet e veta. Ai shpesh po i ndërron njerëzit të cilët vetë i vendos në krye të pozitave dhe i bie që tashmë kemi një pikë të përbashkët, të dy e dimë që ai gabon”, Ilire Dauti, deputete e Lidhjes Shqiptare.

“Mendoj se gabimi më i madh do të ishte që t’i akuzojmë ministrat të cilët sot edhe kryeministri i falënderoi për punën e tyre që e kanë bërë. Mendoj se problemi nuk është vetëm figura apo ministri”, Ilir Hasani, deputet i BDI-së.

Rikonstruktimi i ekzekutivit në Shkup vjen pas dy vitesh qeverisjeje nga kryeministri Hristian Mickovski.

Go to TOP