Qëndresa Fazliu emërohet zëvendëskonsulle e Përgjithshme e Kosovës në Milano

Qëndresa Fazliu ka njoftuar se është emëruar diplomate e Republikës së Kosovës në Itali duke marrë detyrën e Zëvendëskonsulles së Përgjithshme në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Milano.

Përmes një njoftimi publik, Fazliu ka bërë të ditur se pas një angazhimi gjashtëvjeçar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do t’i shërbejë shtetit të Kosovës në këtë pozitë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

“Jam e lumtur dhe shumë krenare t’ju tregoj se jam emëruar diplomate e Republikës së Kosovës në Itali. Prej tash e për katër vitet e ardhshme, do të jem e nderuar t’i shërbej Republikës së Kosovës si Zëvendëskonsulle e Përgjithshme në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Milano”, ka shkruar Fazliu.

Ajo ka falënderuar për besimin e dhënë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufcën duke u zotuar se do të angazhohet për përfaqësimin sa më të mirë të Kosovës.

Fazliu ka shprehur gjithashtu mirënjohje ndaj familjes së saj për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa ka ndarë një mesazh emocional për babin e saj duke theksuar se do të vazhdojë të ndjekë parimet që ai i ka mësuar.

Ajo pritet që në Milano të angazhohet në shërbim të qytetarëve të Kosovës në Itali dhe në forcimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. /Kosova.info/


Go to TOP