Kurti: Rekord i ri i Trustit: 312 milionë euro kthim bruto në gjashtë muaj
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (Trusti) ka shënuar rezultat rekord investues, me rreth 312 milionë euro kthim bruto gjatë periudhës 1 janar – 30 qershor 2026. Sipas Kurtit, ky është rezultati më i lartë gjashtëmujor që nga themelimi i Trustit.
“Rekord i ri i Trustit: €312 milionë kthim bruto në gjashtë muaj. Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka shënuar rezultatin më të lartë investues brenda një gjysmëviti që nga themelimi i tij. Nga 1 janari deri më 30 qershor 2026, kthimi bruto nga investimet ka arritur në rreth €312 milionë”, tha ai.
Sipas tij, së bashku me rezultatet e viteve paraprake, nga fillimi i vitit 2023 deri në fund të qershorit 2026, Trusti ka akumuluar rreth €956 milionë kthim bruto nga investimet: 88 milionë euro në vitin 2023, 247 milionë euro në vitin 2024, 309 milionë euro në vitin 2025, 312 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.
“Këto shifra janë lajm i mirë për qindra mijëra kontribuues, kursimet e të cilëve ruhen dhe investohen për sigurinë e tyre financiare pas pensionimit. Rezultatet e tilla dëshmojnë rëndësinë e qeverisjes së mirë, profesionalizmit, integritetit dhe përgjegjësisë institucionale. Institucionet publike përparojnë kur përgjegjësitë u besohen profesionistëve dhe interesi i qytetarëve vendoset mbi çdo interes tjetër. E përgëzoj Bordin, menaxhmentin dhe të gjithë punonjësit e Trustit për punën dhe përkushtimin e tyre”, ka shkruar Kurti.
Duke shtuar se vlera e gjithëmbarshme e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës tash është 4 miliardë e 245 milionë euro.
“Duke e respektuar pavarësinë institucionale dhe profesionale të Trustit, do të vazhdojmë të kontribuojmë në përmirësimin e kuadrit ligjor, në mënyrë që kursimet pensionale të qytetarëve të menaxhohen me siguri, transparencë dhe perspektivë afatgjatë. Një rezultat i mirë për Trustin, një lajm i mirë për kontribuuesit dhe një arritje e rëndësishme për Republikën tonë”, tha Kurti. /Kosova.info/
