Vrasja e imamit në Zlipotok, një muaj paraburgim për babë e bir

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të pandehurve, Beshir Hamza dhe I.H., të dyshuar për veprat penale “Vrasja e rëndë”  dhe “Mosdhënia e ndihmës”.

Sipas njoftimit të gjykatës, B.H. dyshohet se më 29 qershor 2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, ka privuar nga jeta imamin Gazmend Tairovci pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme lidhur me shfrytëzimin e një prone.

Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari e ka sulmuar viktimën me një mjet të mprehtë (thikë), duke i shkaktuar lëndime fatale, si pasojë e të cilave G.T. ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Ndërkohë, I.H., babai i të dyshuarit kryesor, dyshohet se nuk i ka ofruar ndihmë viktimës, ndonëse ka qenë pranë vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi ta bënte këtë pa rrezikuar veten apo të tjerët.

Gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar dhe arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Go to TOP