Abdixhiku nga Lipjani: Premton ulje të çmimeve dhe rritje pagash, LDK vazhdon fushatën me tubim të madh edhe në Gjakovë
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar tubimet elektorale në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit duke prezantuar programin dhe zotimet e tij para qytetarëve në Lipjan.
Gjatë fjalimit, Abdixhiku theksoi se programi i LDK-së synon mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet duke përfshirë largimin e TVSH-së për produktet bazike, uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe rritjen e pagave.
Ai u zotua se nën qeverisjen e LDK-së nuk do të ketë rritje të çmimeve të energjisë për katër vitet e ardhshme, ndërsa paralajmëroi rritje të koeficientit në 150 dhe investime kapitale që arrijnë deri në 5 miliardë euro.
Në të njëjtin tubim, bartësja e listës së kandidatëve për deputetë, Vjosa Osmani, u bëri thirrje qytetarëve që më 7 qershor të vendosin për të ardhmen e vendit dhe rrugën drejt anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtarë.
Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me SHBA-të dhe NATO duke deklaruar se afërsia me këto aleanca e bën Kosovën më të fortë dhe më të sigurt.
Ndërkohë, fushata e LDK-së ka vazhduar edhe në Gjakovë, ku drejtuesit e saj u pritën me entuziazëm nga qytetarët. Në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët për deputetë nga kjo zonë duke përfshirë Bardhyl Hasanpapaj, Ferid Agani, Shefqet Shehu, Alban Hoti, Dafina Zeka dhe Zeq Tahiraj.
Sipas organizatorëve, mbështetja dhe pjesëmarrja në rritje në tubime po reflekton një frymë ndryshimi dhe pritje për një qeverisje të re, të fokusuar në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët. /Kosova.info/
