Gërvalla: Sundimi i ligjit forcohet përmes bashkëpunimit institucional dhe reformave në drejtësi
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka theksuar se sundimi i ligjit mbetet shtylla kryesore që e mban shtetin funksional dhe të qëndrueshëm. Gjatë një vizite në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ajo së bashku me ekipin e saj u prit nga Kryeprokurori Enis Gashi, me të cilin diskutuan mbi funksionimin institucional të sistemit prokurorial.
Në fokus të takimit ishin sfidat që lidhen me rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e koordinimit në trajtimin e lëndëve, si dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për forcimin e sistemit të drejtësisë.
Gërvalla theksoi se pakoja prej pesë ligjeve, funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe procesi i Vetingut, përbëjnë bazën e reformave që synojnë rritjen e integritetit dhe konsolidimin e drejtësisë në vend.
Ajo nënvizoi se këto procese kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve duke e cilësuar këtë si element kyç për rritjen e besimit të qytetarëve në sundimin e ligjit.
“Në momentin kur drejtësia zbatohet pa përjashtim, shteti nuk deklarohet i fortë, por bëhet i fortë”, përfundoi Gërvalla. /Kosova.info/
