Bujar Gashi emërohet Drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë, Rama falënderon Sadikun për kontributin
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar emërimin e Bujar Gashit në pozitën e Drejtorit të Shëndetësisë në Kryeqytet.
Rama theksoi se Gashi vjen me përvojë të gjatë profesionale dhe me një mbështetje të madhe qytetare duke qenë asamblisti më i votuar në zgjedhjet e fundit. Sipas tij, ky besim është dëshmi e përkushtimit të Gashit në shërbim publik dhe garanci se ai do të punojë me transparencë dhe vizion në të mirë të qytetarëve.
Ndërkohë, Rama shprehu mirënjohje të veçantë për drejtorin e deritanishëm, Izet Sadiku, për punën dhe angazhimin e tij gjatë mandatit. Ai vlerësoi profesionalizmin, korrektësinë dhe qasjen njerëzore të Sadikut duke theksuar se ai ka vendosur standarde të larta në drejtimin e sektorit të shëndetësisë.
Në fund, Rama i uroi suksese Gashit në detyrën e re duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të punës në shërbim të qytetarëve të Prishtinës. /Kosova.info/
