“Young Europeans Kosovo Week” mbahet për herë të parë në Padova

Një iniciativë e re për promovimin e të rinjve kosovarë në Evropë do të organizohet për herë të parë në Padova të Italisë. “Young Europeans: Kosovo Week” do të mbahet nga 11 deri më 17 maj 2026, duke sjellë një javë të mbushur me aktivitete kulturore, artistike dhe inovative.

Sipas komunikatës nga “Young Europeans: Kosovo Week” kjo ngjarje synon të promovojë talentin dhe potencialin e të rinjve nga Kosova, si dhe të rrisë dukshmërinë e vendit në arenën ndërkombëtare, duke sfiduar perceptimet e krijuara ndër vite.

Në kuadër të kësaj jave do të organizohen disa aktivitete, përfshirë ekspozitën fotografike “Kosovo Through New Lenses” nga fotografi Arben Llapashtica, e cila do të hapet nga 11 deri më 17 maj në Palazzo Moroni në qendër të Padovës.

Po ashtu, më 11 maj do të shfaqet për herë të parë në Itali filmi “Zgjoi”, me regji të Blerta Bashollit, në Teatrin Ruzante, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, akademikë dhe mysafirë ndërkombëtarë.

Ndërkohë, më 15 maj do të mbahet paneli “Game Changers: Building a Country Through Youth”, ku të rinj nga Kosova, Shqipëria dhe Presheva do të ndajnë përvojat e tyre, duke promovuar bashkëpunimin dhe ndërveprimin me komunitetin evropian.

Organizatorët theksojnë se aktivitete të tilla kontribuojnë në promovimin e një imazhi më modern të Kosovës dhe në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare.

“Young Europeans: Kosovo Week” organizohet nga studentë të Universitetit të Padovës dhe mbështetet nga ky universitet, Qendra për Hulumtim të të Drejtave të Njeriut “Antonio Papisca” dhe Komuna e Padovës.


Go to TOP