Kurti përkujton masakrën e prillit në Gjakovë: Thirrje për drejtësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar një nga ngjarjet më tragjike të luftës në Kosovë – masakrën e natës mes 1 dhe 2 prillit 1999 në Gjakovë, ku u vranë dhe u dogjën dhjetëra civilë shqiptarë, përfshirë gra dhe fëmijë.
Përmes një postimi, Kurti rikujtoi fatin tragjik të shumë familjeve shqiptare, duke përmendur edhe fëmijët që nuk arritën t’i jetojnë as vitet e para të jetës së tyre.
Ai theksoi se atë natë u vranë mizorisht Diona Caka, e cila do t’i mbushte 2 vjet, dhe Rina Haxhiavdija, e cila do ta festonte ditëlindjen e katërt, bashkë me familjarët e tyre.
Ai ka shkruar se në shtëpinë e familjes Vejsa, forcat serbe vranë 21 civilë shqiptarë që ishin strehuar aty.
“Pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë hapën zjarr me armë automatike mbi 21 civilë shqiptarë, që ishin strehuar në atë shtëpi. Pas vrasjes, trupave të tyre iu vu zjarri, duke tentuar të fshiheshin gjurmët e krimit. I plagosur, Dren Caka, nëpër tym e flakë arriti të dalë nga dritarja dhe të shpëtojë. Në fotografinë nga Eddie Mulholland shihet Dreni, 9-vjeçar, i vetmi i mbijetuar i kësaj masakre. Ai ka dëshmuar në Tribunalin e Hagës, në gjykimin kundër Sllobodan Millosheviqit”, ka shkruar ai.
Kurti theksoi se atë natë, në Gjakovë, forcat serbe vranë edhe dhjetëra civilë të tjerë shqiptarë, përfshirë anëtarë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi, Nuçi, Cana, Gërqari, Guci, Demjaha, Deda, Lleshi, Dylatahu, Tetrica, Bardoniqi, Haxhija, Çarkaxhija, Pozhegu, Kavaja, Spahiu, Haraqija, Dinaj, Aliu, Gllogjani, Thaqi dhe Muhaxheri.
Ai nënvizoi se kjo masakër mbetet një nga dëshmitë më të rënda të dhunës sistematike dhe gjenocidit të Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë, si dhe një thirrje e vazhdueshme për drejtësi dhe kujtesë. /Kosova.info/
