Rama: Franca, aleate e hershme dhe shtyllë e fortë e bashkëpunimit me Kosovën

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar rolin e rëndësishëm të Francës në mbështetjen e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Ai kujtoi se Franca ishte ndër vendet e para që njohu Kosovën duke vënë themelet e një miqësie të fortë dhe të qëndrueshme mes dy vendeve. Sipas Ramës, kjo marrëdhënie është zhvilluar ndër vite në fusha kyçe si diplomacia, shtetndërtimi, kultura dhe arsimi, me mbështetje të vazhdueshme edhe nga vendet frankofone.

Në kuadër të Java e Frankofonisë në Prishtinë, Rama tha se kjo është një mundësi e mirë për të festuar bashkëpunimin, diversitetin kulturor dhe rolin e gjuhës frënge si urë lidhëse mes popujve.

Ai bëri thirrje për vazhdimin e ndërtimit të urave të miqësisë, dialogut dhe zhvillimit të përbashkët mes Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. /Kosova.info/


Go to TOP