Shqipëria me masa të reja për të ulur çmimin e naftës, Rama paralajmëron uljen e akcizës 20%
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se rritja e çmimit të karburantit është pasojë e krizës globale, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në zinxhirin e furnizimit me naftë.
Gjatë podkastit “Flasim”, ai bëri të ditur se qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të mbrojtur konsumatorët dhe për të parandaluar abuzimet në treg. Sipas tij, është ngritur një taskforcë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe në Ministrinë e Financave, me qëllim rritjen e kontrollit dhe identifikimin e çdo shkeljeje të mundshme. Rama theksoi se deri më tani nuk janë evidentuar abuzime, ndërsa monitorimi vijon.
Ai shtoi se, për shkak të rritjes së fundit të çmimeve, është vendosur rikthimi i bordit të transparencës për të kontrolluar tregun e karburanteve.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se janë ndërmarrë masa të përkohshme për lehtësimin e barrës për qytetarët, përfshirë uljen e akcizës me rreth 20%. Sipas tij, të ardhurat shtesë që do të mblidhen nga rritja e çmimeve, pas kësaj uljeje, do të përdoren kryesisht për mbështetjen e pensionistëve.
“Prioriteti ynë mbetet mbrojtja e pensionistëve, duke siguruar që çdo e ardhur shtesë të shkojë në funksion të tyre,” theksoi Rama.
