Sadiku: 723 faqe për disa orë – Kuvendi nuk është vulë formale e pushtetit

Deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka mbajtur fjalimin e tij të parë në Kuvendi i Republikës së Kosovës duke e cilësuar seancën si moment zhgënjimi dhe jo krenarie.

Sadiku ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si është proceduar dokumenti prej 723 faqesh, i cili, sipas tij, u është dërguar deputetëve vetëm pak orë para votimit.

“723 faqe për t’u votuar. Pa kohë për lexim. Pa analizë. Pa debat real. Dokumenti më i rëndësishëm për një shtet nuk trajtohet si formalitet dhe nuk kthehet në instrument për mbajtje pushteti”, ka deklaruar ai.

Sipas deputetit të LDK-së, dokumenti ishte i dobët, pa vizion, pa strategji dhe pa ambicie për zhvillim duke shtuar se në thelb nuk adreson të ardhmen e vendit, por fuqizimin e pushtetit.

Ai ka shprehur edhe shqetësimin se dokumenti është votuar nga deputetë që, sipas tij, nuk e kanë lexuar përmbajtjen e tij duke e lidhur këtë me ruajtjen e “ekuilibrave të brendshëm” dhe interesat politike.

“Kjo nuk është qeverisje. Kjo është improvizim me fatin e një shteti”, theksoi Sadiku.

Në përmbyllje, ai deklaroi se megjithëse sot “është humbur një betejë në Kuvend”, lufta për dinjitet institucional, profesionalizëm dhe ndërtim të shtetit mbi vizion nuk do të ndalet.

“Unë nuk jam futur në politikë për të ngritur dorën mekanikisht. Nuk jam këtu për të heshtur. Nuk jam këtu për t’u dorëzuar. Maskarada mund të zgjasë, por nuk do të zgjasë pafund”, ka përfunduar deputeti Sadiku. /Kosova.info/


Go to TOP