ASK: Rritje e vizitorëve në hotele gjatë dhjetorit 2025

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë për muajin dhjetor 2025, ku vërehet rritje e numrit të vizitorëve në hotele krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Sipas ASK-së, gjatë dhjetorit 2025 në hotelet e Kosovës janë regjistruar gjithsej 68 293 vizitorë, prej të cilëve 27 776 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 40 517 vizitorë të huaj. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kur numri i vizitorëve ishte 64 380, është shënuar një rritje prej 6,1 për qind.

Numri i përgjithshëm i net-qëndrimeve ishte 132 148, nga të cilat 71 624 net-qëndrime (54,2%) u realizuan nga vizitorët e huaj, ndërsa 60 524 net-qëndrime (45,8%) nga vizitorët vendorë.

Rajoni me numrin më të madh të vizitorëve vendorë ishte rajoni i Pejës, me 9 655 vizitorë dhe 26 550 net-qëndrime. Rritje e ndjeshme e vizitorëve vendorë është shënuar edhe në Prishtinë dhe Prizren, ndërsa rënie është vërejtur në disa rajone si Gjilani, Ferizaj dhe Peja.

Sa i përket vizitorëve të huaj, krahasuar me dhjetorin 2024, është shënuar një rritje prej 2,5 për qind. Numri më i madh i vizitorëve të huaj ka ardhur nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.

Nga Shqipëria u regjistruan 14 619 vizitorë, nga Gjermania 4 692, nga Zvicra 4 388, ndërsa nga Turqia 2 721 vizitorë. Ndërkohë, numri i net-qëndrimeve nga vizitorët e huaj ka shënuar një rënie të lehtë prej 2,1 për qind krahasuar me vitin paraprak.


Go to TOP