Durmishi: Zero tolerancë ndaj kimikateve të rrezikshme – nis inspektim i përbashkët dhe ndalen substanca të ndaluara

Ministri në detyrë i Mjedisit, i Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se institucionet përgjegjëse kanë nisur një inspektim të përbashkët lidhur me importimin, tregtimin dhe përdorimin e kimikateve, biocideve dhe pesticideve, me fokus të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e shëndetit publik, sigurinë ushqimore, kafshët dhe mjedisin.

Sipas Durmishit, inspektimi po realizohet nga MMPHI, MBPZhR dhe MINT, pas informatave të pranuara nga MBPZhR, të cilat kanë treguar se disa operatorë ekonomikë kanë keqpërdorur sistemin e regjistrimit duke paraqitur pesticide si biocide. Në disa raste, sipas tij, janë identifikuar edhe substanca të ndaluara nga direktivat ndërkombëtare.

Ministri bëri të ditur se për këtë arsye janë ndërmarrë masa konkrete dhe të pakthyeshme, në përputhje me standardet evropiane. Deri më tani, institucionet kanë inicuar audimin e brendshëm për mbi 100 lëndë, kanë ndaluar importin, shpërndarjen dhe përdorimin e substancave të rrezikshme dhe kanë forcuar inspektimet në terren.

Po ashtu, janë marrë masa ndëshkuese ndaj çdo shkelësi pa dallim, është rritur koordinimi ndërinstitucional për zbatim të plotë të ligjit, janë krijuar grupe punuese për hartimin e akteve dhe rregulloreve të reja, si dhe janë shfuqizuar vendime për leje importi që kanë qenë në kundërshtim me ligjin.

Durmishi theksoi se është konfiskuar edhe një sasi e konsiderueshme e kimikateve duke pamundësuar daljen e tyre në treg.

Në fund, ai u shpreh se si ministër dhe si Qeveri kanë politikë me zero tolerancë ndaj çdo veprimi që cenon shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. “Jeta dhe shëndeti publik janë mbi çdo interes tjetër,” tha Durmishi duke ftuar institucionet e rendit dhe drejtësisë që të veprojnë me prioritet dhe seriozitet të plotë, ndërsa garantoi gatishmëri për bashkëpunim të plotë institucional.

“Mesazhi është i qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë praktikë që rrezikon njerëzit, kafshët apo mjedisin nuk do të tolerohet,” përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP