Jahjaga pret përfaqësues amerikanë dhe studiues Fulbright, thekson fuqizimin e grave dhe bashkëpunimin Kosovë-SHBA
Ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur në Fondacionin Jahjaga përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, American Councils, Bordit të Shkëmbimit Arsimor SHBA – Kosovë, si dhe studiues amerikanë të Programit Fulbright, të angazhuar në institucione të arsimit të lartë në mbarë vendin.
Takimi u cilësua si i hapur dhe frytdhënës, ku u ndanë përvoja dhe reflektime mbi mandatin e Jahjagës si Presidentja e parë grua e Republikës së Kosovës, sfidat dhe përgjegjësitë që shoqërojnë lidershipin, si dhe rëndësinë e përfaqësimit dhe fuqizimit të grave në jetën publike dhe në proceset vendimmarrëse.
Në njoftimin e lëshuar nga ish-Presidentja Jahjaga thuhet se gjatë takimit është diskutuar edhe për misionin dhe punën e Fondacionit Jahjaga, me theks të veçantë në angazhimin për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për gratë, të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara në Kosovë.
Në kuadër të vizitës, studentët dhe studiuesit patën mundësinë të vizitojnë edhe muzeun “Çast”, një hapësirë edukative dhe informuese që dokumenton historinë e Kosovës dhe sakrificën e të mbijetuarve.
Takimi riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe rolin kyç të programeve të shkëmbimit akademik, përfshirë Fulbright, në ndërtimin e urave të qëndrueshme të mirëkuptimit, dijes dhe lidershipit mes dy vendeve. /Kosova.info/
