Disa nga arsyet pse e përkrahi fuqishëm Hykmete Bajramin
Shkruan: Shenoll MUHARREMI
1. Kjo përkrahje nuk është kundër askujt dhe më së paku kundër Lumir Abdixhikut. Përkundrazi, personalisht kam marrëdhënie të mira shoqërore me kampin e lidershipit aktual të LDK-së. Qëndrimi im nuk është personal, por parimor dhe i bazuar në bindjen se çka është më e mira për Kosovën në gjendjen aktuale në të cilën gjendemi.
2. Qëndrimi im buron nga fakti se LDK ka shënuar rezultate jashtëzakonisht negative në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Pa reflektim serioz dhe pa një shkëputje teknike nga gjendja aktuale, partia nuk mund ta rikthejë besimin e elektoratit të vet. Pa ndryshime reale dhe masa konkrete, LDK jo vetëm që nuk atrakon votues të rinj, por rrezikon të humbë edhe më shumë nga përkrahja ekzistuese.
3. Kosovës i duhet një LDK e fortë, me përkrahje minimale rreth 200,000 vota, për të garantuar stabilitet institucional dhe për të frymëzuar reformat e domosdoshme që e orientojnë vendin drejt lirisë, demokracisë dhe marrëdhënieve të shëndosha me SHBA dhe Bashkimin Europian. Një LDK e tillë nuk mund të ndërtohet pa ndryshim thelbësor të drejtimit aktual.
4. Mosreflektimi dhe mosndërmarrja e masave të duhura pas gjendjes aktuale në LDK është e krahasueshme me një diagnozë të hershme serioze që injorohet. Gjendja mund të mbahet përkohësisht, por shanset për rikuperim real zvogëlohen ndjeshëm sa më shumë kalon koha. Pa trajtimin e duhur, partia nuk arrin të forcohet dhe të konkurrojë në mënyrë të barabartë me të tjerët.
5. Kur partitë, organizatat, bizneset apo edhe shtetet përballen me situata të tilla, vendimet duhet të merren mbi bazë të parimeve dhe standardeve profesionale, jo emocioneve, miqësisë e intersave të kampeve. Këto parime duhet të mbështeten në llogaridhënie, transparencë, integritet, kompetencë, efikasitet dhe vizion të qartë për një të ardhme më të sigurt dhe pozitive.
6. LDK herët a vonë do të detyrohet të ndërmarrë ndryshime, sepse vështirë se mund të gjejë qetësi dhe stabilitet të brendshëm në këtë gjendje. Sa më shumë të zgjatet vendimmarrja, aq më e vështirë bëhet ndërmarrja e hapave të duhur dhe gjetja e kandidatëve adekuatë. Prolongimi rrit rrezikun e vendimeve të gabuara nën presion në të ardhmen dhe mund ta çojë partinë drejt margjinalizimit nën 10% të përkrahjes. Prandaj, veprimi tani është më racional dhe më parimor, kur ende ekziston mundësia reale për rikuperim rreth 20 për qind dhe garë serioze për të ardhmen.
7. LDK ka nevojë për kauza të forta, parime të qarta, vendosmëri politike, qëndrime të artikuluar mirë, partneritete të shëndosha dhe bashkim të brendshëm gjithëpërfshirës. Kjo kërkon një fillim të ri, duke ruajtur dhe avancuar reformat e viteve të fundit, duke përfshirë dhe fuqizuar gjeneratat e reja dhe duke maksimalizuar potencialin e secilit me kohezion dhe sinergji të brendshme.
8. Hykmete Bajrami është politikania më e besueshme, më kredibile dhe më kompetente që ka sot LDK, por edhe Kosova dhe rajoni. Ajo ka kauza të qarta dhe ka vendosur standarde europiane në politikën kosovare. Si lidere e opozitës vitet e fundit, ka arritur rezultate konkrete dhe ka qenë zëri më i artikuluar politik dhe institucional vitet e fundit.
9. Gjatë krizës së energjisë, një nga krizat më brutale për vendin, ajo ka qenë ndër të paktat që ka vepruar aktivisht në mbrojtje të qytetarëve, familjeve dhe bizneseve vendore, në një kohë kur shumica e politikanëve kanë heshtur. Ka dëshmuar dije, guxim dhe kompetencë në momentet më të vështira për shoqërinë dhe ekonominë e Kosovës.
10. Elektorati i LDK-së dhe një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës kanë shprehur përkrahje dhe besim të qartë për Hykmete Bajramin. Aktualisht ajo renditet ndër figurat më të besueshme politike në vend dhe përfaqëson opsionin më të sigurt brenda LDK-së.
11. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, përkundër rënies së përgjithshme të partisë, Hykmete Bajrami jo vetëm që e ka ruajtur votën, por e ka edhe rritur. Rezultatet zgjedhore janë treguesi më i qartë i disponimit të elektoratit dhe duhet të shërbejnë si bazë për vendimmarrje dhe udhërrëfyes brenda LDK-së.
12. Integriteti personal, qeverisja e pastër, kompetenca e dëshmuar, dija dhe guximi politik e bëjnë Hykmete Bajramin model jo vetëm për LDK-në, por për gjithë Kosovën dhe rajonin. Nuk ekziston asnjë dyshim për keqqeverisje dhe standardet që ajo aplikon janë të larta dhe të krahasueshme me praktikat më të mira europiane.
13. Me Hykmete Bajramin, Kosova fiton institucione më kredibile, më kompetente, meritokraci reale dhe mundësi të barabarta për biznese dhe qytetarët. LDK ka potencial të shndërrohet në një parti moderne europiane, nëse aplikon këto standarde. Me këtë qasje, Kosova mund ta fitojë më shpejt besimin e vendeve kyçe të BE-së, si Gjermania dhe Franca, dhe ta përshpejtojë procesin e integrimit europian.
14. Mosndërmarrja e masave në këtë fazë rrezikon që LDK të detyrohet të marrë vendime të gabuara në gjendje krize, përfshirë edhe afrim të gabuar politik. Një qasje e tillë do ta dobësonte më tej partinë dhe do t’i mbyllte Kosovës mundësinë për ndryshime të domosdoshme dhe politika të djathta ekonomike.
15. Nëse LDK synon të bëhet parti e parimeve, standardeve, kompetencës, gjithëpërfshirjes dhe kauzave reale, dhe nëse dëshiron ta rikthejë përkrahjen në nivel rreth 20 për qind në afat të shkurtër, atëherë opsion më të mirë se Hykmete Bajrami nuk ka. Çdo alternativë tjetër mbart rreziqe serioze dhe nuk garanton rikthim, integritet, kompetencë dhe bashkim të brendshëm.
16. Kjo nuk është çështje emrash, ambiciesh personale apo garash të brendshme. Është çështje drejtimi, përgjegjësie dhe kohe. LDK dhe Kosova nuk kanë hapësirë me pritë edhe një cikël tjetër stagnimi. Vendimet e vështira duhen marrë kur ende ka hapësirë për rikuperim, jo kur kriza thellohet dhe opsionet ngushtohen.
17. Përkrahja ime për Hykmete Bajramin buron nga bindja se ajo përfaqëson parimet, standardet dhe kompetencën që i duhen LDK-së për me u ringritë dhe Kosovës për me ec përpara. Ajo ka dëshmu integritet, guxim dhe aftësi për me u përballë me kriza që i kemi përpara.
18. Nëse LDK synon me qenë forcë shtetformuese, europiane dhe konkurruese, duhet me zgjedhë guximin ndaj komoditetit dhe ndryshimin ndaj vazhdimësisë së trendit aktual. Sot ekziston një mundësi reale për rikthim dhe për ndërtim të besimit. Nesër kjo mundësi mund të mos ekzistojë më.
