Lladrovci: Pezullohet mësimi në Drenas deri më 14 janar, po punohet për normalizimin e gjendjes
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se institucionet komunale janë në angazhim të plotë për normalizimin e gjendjes pas situatës së rënduar nga bora, vërshimet, ngricat dhe mungesa e ujit të pijes.
Ai ka bërë të ditur se dita ka nisur me inspektime në terren, në rrugë të mbuluara me borë dhe zona të vërshuara, si dhe me trajtimin e ankesave të qytetarëve për mungesën e ujit. Sipas Lladrovcit, gjatë gjithë ditës janë angazhuar ekipet emergjente, kompanitë e kontraktuara për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, Policia e Kosovës, Njësia e Zjarrfikësve, qytetarë dhe kompani private, me qëllim tejkalimin e situatës.
Kryetari i Drenasit ka vizituar lagje dhe familje më të rrezikuara duke shprehur solidaritet dhe duke theksuar se institucionet komunale po punojnë me të gjitha kapacitetet për përmirësimin e gjendjes.
Ai ka theksuar se mungesa e ujit të pijes vazhdon në disa pjesë të komunës dhe se ky shqetësim është ngritur me urgjencë, ndërsa Ujësjellësi, pavarësisht vështirësive, po punon për rikthimin e furnizimit normal me ujë.
Lladrovci u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm në trafik, të mos lëvizin pa nevojë, të pajisen me pajisje dimërore dhe të respektojnë ndalesat në rrugët e vërshuara apo të papastruara nga akulli.
Për shkak të rrethanave të krijuara, kryetari ka marrë vendim që të pezullohet vijimi i mësimit në të gjitha nivelet e arsimit parashkollor dhe shkollor në komunën e Drenasit deri të mërkurën, më 14 janar 2026.
Ai ka bërë të ditur se familjet dhe kompanitë e dëmtuara nga vërshimet duhet të kërkojnë vlerësimin e dëmeve nga Komisioni komunal duke theksuar se procedurat për kompensim nga niveli qendror kërkojnë kohë.
Në fund, Lladrovci ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, si dhe kompanitë private dhe individët që kanë ndihmuar dhe po vazhdojnë të ndihmojnë në tejkalimin e situatës së vështirë në komunën e Drenasit. /Kosova.info/
